Projekti i studios belge të arkitekturës, 51N4E u shpall fitues për ndërtimin e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.

 

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale një video informuese mbi projektin fitues të finales së Durrësit, që mori mbështetjen konsensuale të jurisë, si vizioni më i befasishëm e programi më i adaptueshëm zhvillimor, në funksion të futbollit, sportit, kulturës, komunitetit po edhe identitetit të qytetit të vjetër e të ri.

Projekti i studios belge të arkitekturës 51N4E e koncepton stadiumin si pjesë të qytetit, ku jeta e komunitetit ndërthuret edhe me aktivitete dhe sportet që do të ofrojë stadiumi i ri.

 

Stadiumi “Niko Dovana” në Durrës bëhet kështu infrastruktura tjetër sportive pas stadiumit të Korçës, që do të transformohet në një qendër të re shumëfunksionale për qytetin.

 

Me ndërtimin e stadiumit të ri do të ofrohen kushte optimale për kompeticionin kryesor, futbollin, por edhe biznesi e argëtimi do të kenë hapësirat e tyre të dedikuara, ku të ketë atraksione për të gjithë ata që vizitojnë Durrësin.

 

Projekti parashikon fusha stërvitje basketbolli, futbolli, dy pishina për sportin e notit, një të jashtme dhe një të brendshme.

 

Po ashtu, stadiumi do jetë nën nivelin e tokës në mënyrë që qyteti të jetë pjesë përfshirëse e panoramës kur hyn në stadium. Rreth stadiumit parashikohet të ndërtohen qendrat kulturore e sportive, hotele, zyra dhe qendra tregtare, si dhe do të ndërtohet qendra e zhvillimit të konventave dhe Festivalit kombëtar të filmit.

 

Gara e hapur ndërkombëtare, e shpallur në muajin shkurt të këtij viti, përzgjodhi në fazën finale tri studio prestigjioze të arkitekturës: 51N4E (Belgjikë) Bjarke Ingels Group, BIG (Danimarkë) dhe MVRDV (Holandë) për të prezantuar publikisht propozimet arkitektonike para një jurie me personalitete ndërkombëtare të fushës.