Poliklinika e rilindur e Specialiteteve në Elbasan është e pajisur me aparaturat e fjalës së fundit për kujdesin shëndetësor të 430 mijë banorëve të gjithë qarkut.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga ambientet e kësaj poliklinike, e cila është kompletuar me pajisje të reja mjekësore të teknologjisë së lartë, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit për qytetarët.
Falë investimit të qeverisë, godina 3-katëshe është transformuar tërësisht, duke mundësuar kushte bashkëkohore dhe standardet më të mira për stafin mjekësor dhe rreth 430 mijë qytetarë të qarkut të Elbasanit, të cilët do të marrin edhe shërbime të reja shëndetësore të specializuara.
Në Poliklinikën e Specialiteteve në Elbasan janë 40 kabinete të specialiteteve të shtuara dhe 18 specialitete të veçanta duke siguruar cilësi dhe shpejtësi për kujdesin shëndetësor të qytetarëve të këtij qarku, por duke lehtësuar edhe ngarkesën e spitalit për një sërë shërbimesh të specializuara.
Në këtë poliklinikë ofrohet shërbimi i Dispancerisë për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve pneumologjike, ekzaminimet ambulatore të ndryshme imazherike dhe laboratorike, EKG, EEG, audiograma dhe spiromeria.
Në Poliklinikë ofrojnë shërbim 55 mjekë specialistë dhe 23 infermierë të cilët mbulojnë shërbimin ambulator./ata