Emiratet e Bashkuara Arabe nuk do të jenë më një oaz shpëtimi për persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare, pasi po punohet për një marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve.

Në një prononcim për mediet, në përfundim të një konferencës me temë “Llogaridhënia”, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se, pas disa javësh do të udhëtojë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, ku pritet të ketë dhe hapa konkretë drejt marrëveshjes së ekstradimit.

“Para disa muajsh edhe ju nuk e besonit që ne mund të arrinim të identifikojmë dhe më pas të ndalojmë persona edhe në vende me të cilat nuk kemi marrëveshje ekstradimi”, tha Balla.

“Falënderoj autoritetet ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, me të cilat kemi komunikim thuajse të përditshëm për identifikimin dhe gjetjen e personave që kërkohen nga drejtësia shqiptare”, tha Balla.

Ministri i Brendshëm, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për ngjarjen e Lushnjës, tha se, “llogaridhënia duhet të jetë e njëjtë për çdo qytetar. Për sa kohë që ke një vendim gjykate, ai vendim duhet respektuar. Për sa kohë je në kërkim policor, detyra e Policisë së Shtetit është t’i gjejë këto persona dhe t’i vendosi përpara drejtësisë”.

Ai shtoi se po punohet edhe për një marrëveshje ekstradimi. “Po punojmë me Emiratet Arabe për të patur një marrëveshje ekstradimi sa më të shpejtë. Pas disa javësh do të jemi zyrtarisht për t’u takuar me autoritete më të larta, qoftë me Ministrinë e Brendshme, qoftë me të Ministrisë së Drejtësisë, për të finalizuar një marrëveshje e cila do të na mundësonte që edhe ky vend të mos jetë një oaz shpëtimi për të gjitha ata që kanë probleme me drejtësinë. E vërteta është se kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese të këtij vendi”, nënvizoi Balla./ata