Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë prioritetet kryesore të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme. Rezultatet në luftën ndaj kriminalitetit në tërësi, kanë ardhur duke u intensifikuar gjatë muajve të fundit. Ndaj Policia e Shtetit po ecën në rrugën e konsolidimit si institucioni më i besuar në vend, deklaroi ministri i Brendshëm Taulant Balla në konferencën ndërkombëtare për Forcimin e Llogaridhënies – Fuqizimin e Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Tiranë për dy ditë me radhë.

Ministri solli në vëmendje operacionet kombëtare “Tempulli” dhe “Tempulli 2” ku janë goditur 37 grupe kriminale dhe janë vendosur para drejtësisë 984 shtetas, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë të lëndëve narkotike. Ndërsa, gjatë Operacionit Kombëtar “Sundimi i ligjit” janë çuar para drejtësisë 840 shtetas.

“Anketimet sociologjike më të fundit tregojnë një mbështetje prej rreth 70% të qytetarëve për Policinë dhe operacionet e mëdha policore të muajve të fundit. Këto rezultate pozitive gjejnë reflektim edhe në indeksin më të fundit, të vitit 2023 të publikuar nga Iniciativa Globale, sipas së cilit Shqipëria ka shënuar progresin më të madh nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ulur nivelin e kriminalitetit me 0.46 pikë, krahasimisht me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor ku përmirësimi është i ndjeshëm (nga 0.04 pikë (Bosnja dhe Hercegovina deri në 0.28 pikë (Maqedonia e Veriut). Ky ndryshim në pikë përkthehet në një ndryshim të theksuar në renditjen e vendit tonë. Në nivel global, rezulton se Shqipëria ka përmirësuar pozitën me 26 vende, ndërsa në nivel evropian me 6 vende”, tha Balla.

Rezultatet tha ai, janë meritë e përkushtimit dhe sakrificës së mijëra punonjësve të Policisë.

“Detyra jonë është të ruajmë këtë besim të publikut dhe të nxisim edhe më tej motivimin e atyre punonjësve të ndershëm e të dedikuar që shohin të ardhmen e tyre me uniformën e policisë. Duhet te krijojmë kushtet që këta të rinj e të reja të bëjnë karrierë në radhët e Policisë së Shtetit, mbi bazën e meritave, dhe të mos largohen nga organizata apo nga Shqipëria për shkak të kushteve ekonomike”, theksoi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Ndër të tjera Balla shtoi se janë duke u aplikuar disa programe për mbështetjen e Policisë, nisur me angazhimin për rritjen e pagave duke filluar nga muaji korrik, zbatimi i programeve për strehim për familjet e reja, si dhe garantimi i trajnimeve cilësore të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit.

Më tej, ai tha se prej muajsh ka nisur fazë të re e procesit të thellë të vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit.

“Rritja e performancës dhe e meritokracisë në radhët e Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e Policisë së Shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”, nënvizoi ministri.

Korrupsioni është një kancer për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të një vendi dhe si i tillë duhet luftuar pa asnjë mëdyshje dhe pa kompromis.

“Përgjegjësia jonë, si aktorë institucionalë, është që përmes forcës dhe cilësisë së ligjeve, institucioneve dhe modeleve kulturë-formuese, të ndikojmë sadopak në kurimin e kësaj sëmundjeje brenda organizatës dhe në shoqërinë ku kjo organizatë vepron. Rruga është ende e gjatë, por ne jemi më të vendosur se kurrë”, tha Balla, në takimin e organizuar nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional./ata