Korça turistike prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin, bashkë me qytete të tjera shqiptare nën sloganin “Albania All Senses”.
 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon prezantuese të qytetit juglindor në Panairin e Berlinit, ku për tre ditë me radhë Shqipëria do të prezantojë më të mirën e ofertës turistike, me një axhendë të larmishme aktivitetesh, që do të kulmojnë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit për ITB BERLIN 2025.

Korça është një nga shembujt më domethënës të qyteteve shqiptare që shfrytëzojnë turizmin vjetor, kryesisht atë malor dhe kulturor.

Me një ofertë të plotë turistike, Korça ofron natyrën e mrekullueshme, historinë dhe traditat, duke tërhequr vëmendjen dhe interesin e agjencive dhe operatorëve turistikë nga shume vende të botës.

Me kapacitete të shtuara akomoduese dhe rritje të investimeve të brendshme, ky qytet po tenton që të tërheqë edhe më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj.

Potenciali i madh që ka Rajoni i Korçës është një mundësi e shkëlqyer për shtimin e numrit të vizitorëve, ditëve të tyre të qëndrimit dhe zhvillimit të sektorit të turizmit si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë lokale që gjeneron të ardhura dhe punësim./ata