Gjeneral major Nazmi Cahani, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë, e cila u inaugurua më 4 mars, është një investim që i hap rrugë investimeve të tjera të kësaj natyre.
Sipas tij, kjo bazë ajrore i hap rrugë edhe idesë që Forcat Ajrore Shqiptare të kenë flotën e tyre të avionëve.
“Baza ajrore e Kuçovës ka qenë një bazë e rëndësishme edhe më përpara. Ka qenë baza e parë në Shqipëri. Vitin tjetër feston 70-vjetorin. Këtu ka qenë e përqendruar dhe flota më e madhe avionëve deri në vitin 1990. Pas vitit 1990, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO, nisën përpjekjet për ta bërë pjesë të NATO-s. Fillimisht në vitin 2010. Në vitin 2015, drejtuesi i komitetit ushtarak të NATO-s, gjeneral Shisler, që në ato kohë vijuan përpjekjet për finalizimin e projektit që këtë bazë ajrore ta vendosnim në dispozicion të NATO-s”, tha Cahani.
Sipas tij, ndërtimi i kësaj baze ka disa mesazhe të rëndësishme. “Kjo është baza e parë në Ballkanin Perëndimor. E para, për rëndësinë që ka Shqipëria për NATO-n, si një aleat shumë i besueshëm. E dyta, janë kushtet që ofron kjo bazë, ka kushtet më të mira në rajon, duke nisur nga ato atmosferike, pozicioni gjeografik etj.”, tha ai.
“Është një nga investimet që nuk i është shtuar asnjë detaj nga projekti fillestar, pra nga investimet më të suksesshme dhe tregon se në Shqipëri mund të bëhen edhe investime të tjera të kësaj natyre. Këtu mund të ulet dhe operojë çdo lloj avioni ushtarak dhe joushtarak i NATO. Pra kjo bazë ajrore nga çdolloj standardi, nuk ka asnjë mangësi”, nënvizoi Cahani.
“Kjo bazë do të mundësojë stërvitje edhe më të mirë të përbashkët mes Forcave të NATO-s dhe atyre shqiptare. Madje i hap mundësi dhe investimeve në infrastrukturë, me qëllim që të kemi dhe avionët tanë në Forcat e Armatosura”, u shpreh ai.
Sipas Cahanit, risitë teknologjike mund të jenë mjaft joshëse për të rinjtë të cilët duan të aderojnë pranë Forcave të Armatosura apo atyre ajrore.
“Kjo është një nga përpjekjet më të mira për joshur të rinjtë që të bëhen pjesë e FA. Vetë pajisjet që kanë hyrë në FA dhe forcat ajrore, dronët, helikopterët dhe besoj që rinia e apasionuar pas zhvillimeve shkencore, do ta gjente veten mjaft mirë pranë Forcave të Armatosura”, përfundoi Cahani.
Gjeneral major Nazmi Cahani është në lirim prej vitit 2022. Ai ka qenë pjesë e FA deri në 2022. Gjithashtu, ka qenë përfaqësues ushtarak i Shqipërisë në NATO në vitet 2019-2022./ata