Mirëmbajtja e sistemit të Ndihmës Ekonomike dhe shërbimit social për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ndërveprimi me platformën e-Transport për prerjen e biletave dhe komunikimi me qendrën SOS për DPSHTRR pritet t’i kushtojë buxhetit disa milionë euro.

 

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë se Informacionit çeli këtë të hënë procedurat respektive të prokurimit që kanë një fond limit kumulativ rreth 440 milionë lekë apo rreth 3.75 milionë euro. Në dokumentet që shoqërojnë procedurat sqarohen në detaj edhe elementët që do të përfshijë kontrata.

 

Kështu “Ndërveprimi me platformën e-Transport për prerjen e biletave dhe komunikimi me qendrën SOS- për DPSHTRR” ka për qëllim është ndërtimi i një Qendre SOS për DPSHTRR, e cila do ti vijë në ndihmë të gjitha mjeteve të udhëtimit, si dhe pajisja e mjeteve pajisjen e transaksionit elektronik të biletimit (POS e-Transport), të cilat do të realizojnë ciklin e plotë të prerjes së biletave dhe fiskalizimin e tyre për transportin ndërqytetës.

 

“Kjo duke i dhënë një mundësi të shtuar qytetarit për prerjen e biletës, edhe nëpërmjet pajisjes POS dhe mbulimit të plotë të ciklit, në mënyrë të qendërzuar sipas platformës e-transport.

 

Në këtë mënyre për prerjen e biletave sipas përcaktimeve të VKM-së Nr. 224, datë 13.04.2022, nëpërmjet sistemit e-Transpoert, do të shtohet një mundësi e re, nëpërmjet pajisjeve të transaksionit elektronik të biletimit të instaluara në autobus ose kudo tjetër, të integruara me sistemin e-Transport, të cilat duhet të plotësojnë kërkesat e Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit””, thuhet në dokument.

 

Nga ana tjetër procedura që lidhet me sistemin e ndihmës ekonomike ka të bëjë me mirëmbajtjen e parashikuar për një periudhë dy vjeçare.

 

“Qëllimi i këtij shërbimi është mirëmbajtja e Sistemit të Ndihmës Ekonomike dhe i sistemit të Administrimit të Integruar të Shërbimeve Sociale, të hostuar në mjediset e AKSHI-t. Këto dy sisteme menaxhojnë bazën e të dhënave shtetërore të ndihmës ekonomike, si dhe procesin e aplikimit dhe dhënies së ndihmës ekonomike në të gjithë Shqipërinë dhe bazën e të dhënave për shërbimet sociale dhe proceset përkatëse”, thuhet në dokumentet e publikuara për procedurën./Monitor