Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se menaxhimi i ujërave është një prej kushteve të Bashkimit Evropian vendosur ndaj Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
Në fjalën e saj, në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore, që u mbajt në Shqipëri, Balluku tha se maturia e kërkesave të vendit tonë dhe maturia e stafeve që janë duke punuar me këto kërkesa kanë arritur në një nivel, që vlerësohet edhe nga Bashkimi Evropian.
Balluku vuri në dukje se programi EU4Rivers vjen në momentin e duhur.
“Vjen në momentin e duhur, atëherë kur shtetit tonë do t’i duhet që të përafrojë një sërë ligjesh për t’i sjellë në të njëjtin nivel me ato të Bashkimit Europian, kur ne na duhet që të bëjmë një riinxhinerim të të gjitha proceseve që ne bëjmë për çdo lloj burimi dhe deri tek ato procese të cilat do të vendosin të gjithë këtë pasqyrë të madhe të trajtimit dhe të mbrojtjes së ujërave në një nivel tjetër teknik dhe ligjor”, deklaroi Balluku.
Ajo siguroi se ky projekt do të ndiqet me rigorozitet nga Shqipëria dhe do ta përmbushë atë sipas standardeve të kërkuara.
“Dua të siguroj partnerët, që do kemi të njëjtin angazhim dhe të gjitha stafet që do angazhohen për realizmin e këtij projekti dhe do tregojmë maturi. Bashkëpunimi me BE dhe vendet e tjera anëtare është një sukses kyç për të forcuar sektorët tanë, sidomos një sektor, kaq të rëndësishëm dhe vital, siç është sektori i ujit, duke përfshirë këtu mbrojtjen e lumenjve dhe përdorimin e tyre me eficiencë”, tha Balluku.
Zëvendëskryeministrja u shpreh se Shqipëria sfidën e madhe nuk e ka të hartimi i ligjeve dhe projekteve, por te zbatimi i tyre në terren dhe për këtë arsye kërkoi asistencë nga vendet e Bashkimit Evropian.
“Ne kemi ligje të mira, por çalojmë në zbatimin e tyre në terren. Perspektiva e menaxhimit të burimeve ujore është ngushtësisht e varur nga suksesi i këtij projekti”, shtoi ajo./ata