Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur sot se 3.5 milionë euro të tjera do të akordohen në funksion të ndërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Balluku informoi mbi vendimet e miratuara sot ndër të cilat edhe marrëveshja shtesë e grantit dhe projektit ndërmjet Shqipërisë, KfW-së gjermane dhe FSHZH-së për programin e rindërtimit të ndërtesave publike.

“Bëhet fjalë për fazën e parë të miratuar me vendimin e datës 24 dhjetor 2020 nga Këshilli i Ministrave. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme, pasi do të ndikojë në rindërtimin e shkollave të shkatërruara gjatë tërmetit 2019, duke pasur parasysh se ne e kemi nisur prej kohësh këtë proces. Me shtimin e kësaj marrëveshje do të akordohen 3.5 milionë euro në funksion të ndërtimit të këtyre shkollave, por do të ketë edhe shërbime inxhinierike për të gjitha objektet e parashikuara që të përfshihen në marrëveshje”, tha ajo.

Një tjetër marrëveshje e rëndësishme e miratuar sot, sipas Ballukut është edhe ajo me GIZ, për shërbimet e furnizimit me ujë.

“Marrëveshja që i ofron këtij sektori rreth 1.5 milionë euro që do të ofrohen nga GIZ për të vazhduar të gjitha proceset që ne kemi nisur në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve”, tha ajo.

Po ashtu, Balluku informoi se në mbledhjen e sotme është miratuar projektvendimi mbi normat e ndërtimit të spitaleve dhe klinikave mjekësore.

“Ky është një projektvendim i propozuar nga MIE duke pasur parasysh kushtet dhe specifikat që duket të kenë ndërtesat e spitaleve dhe ato ambulatore. Kemi pasur një boshllëk në fushën e rregullimit sa i përket këtyre ndërtimeve. Me aktin e sotëm plotësohen objektivat si rritja e cilësisë në ofrimin e shërbimeve në spitale dhe klinika, përmirësimi i vazhdueshëm i proceseve projektuese të lidhura me objektet spitalore etj. Synimi është përafrimi me kuadrin rregullator të BE-së”, tha ajo.

Balluku sqaroi se në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe disa vendime mbi
shpronësimet, mjaft të rëndësishme për të avancuar me të gjitha projektet infrastrukturore që ka pushteti vendor por edhe pushteti lokal.

“Ndërkohë ka pasur edhe disa ndryshime të VKM-ve ekzistuese për të shkurtuar të gjitha proceset, tashmë që qeveria shqiptare ka synim kryesor që të jemi sa më të shpejtë për sa i përket licencimeve dhe mbështetjes që do t’i duhet sektorit privat për të investuar në Shqipëri, qoftë ky vendas apo i huaj”, shtoi ajo./ata