Ministri i Brendshëm Taulant Balla është takuar të mërkurën në Tiranë me drejtorin e zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Matteo Mecacci.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan se në takim u diskutua roli i Policisë së Shtetit në proceset Zgjedhore. Balla thekson se OSBE ka një rol referues për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“U takova me drejtuesin e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Matteo Mecacci. Mirënjohës për rolin e ODIHR ndër vite dhe për rekomandimet mbi proceset zgjedhore që mbeten referuese për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shkruan Balla.
“Diskutuam mbi rolin e Ministrisë së Brendshme dhe trajnimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”, përfundon postimin e tij ministri Balla./ata