Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu në fjalën e tij para medieve pas shtyrjes së seancës për dosjen “Gërdeci”, tha se deri më sot, asnjë dëshmitar s’ka thënë ndonjë fjalë për veprime jo korrekte të tij, gjatë kohës që ka qenë Ministër i Mbrojtjes.

Sot, në gjyqin e zhvilluar për dosjen “Gërdeci” u mor në pyetje vetëm Rezart Tërshana, ndërsa Sokol Ngjeci dhe Dritan Minxolli u paraqitën, por nuk pranuan të përgjigjen. Po ashtu, autoritet kërkojnë informacion shtesë për statusin penal për 5 shtetasit amerikanë që pritet të merren në pyetje.

“Dëshmitarët janë thirrur nga prokuroria për të për të provuar fajësinë e Ministrit. S’ka asnjë dëshmitarë që të ketë thënë qoftë dhe gjysmë fjale për veprimtari të parregullt apo administrative të ministrit”, tha Mediu.

“Sot, përfaqësuesi, shefi i sektorit të Drejtorisë Juridike (Rezart Tërshana) çmoi se çdo akt që ka nxjerrë ministri, ka qenë në përputhje me ligjin, VKM-në dhe detyrimet ndërkombëtare. Dhe çdo akt që është nxjerr ka qenë në shërbim të interesit të sigurisë së vendit për demontimin e municioneve”, bëri të ditur Mediu.

Ish-ministri i Mbrojtjes kërkoi që ndaj dëshmitarëve që thërret prokuroria, edhe pala mbrojtëse të ketë mundësi të parashtrojë pyetjet e saj.

“Sa i përket thirrjes së dëshmitarëve, mendoj që ky është detyrim i prokurorisë, që t’i bëjë të mundur të jenë prezent. Mundësisht, nëse s’kanë pyetje vetë për dëshmitarët që thërrasin, të kenë dëshirën që të dëgjojnë pyetjet tona, sepse mund të ndihmojnë në zbardhjen e të vërtetës edhe gjatë procesit”, u shpreh Mediu.

Lidhur me pesë shtetasit amerikanë që pritet të thirren si dëshmitarë, Mediu shtoi se, “nëse ka mangësi në mënyrën se si ka proceduar prokuroria, kjo nuk është pjesë e përgjegjësisë së mbrojtjes. Në atë që lexoi gjyqtarja, dukej se kishte nevojë për sqarime se për çfarë thërriten këta dëshmitarë, gjë që duhet ta kishin bërë edhe më dëshmitarët e tjerë, që ka thirrur prokuroria deri më tani, ashtu siç bëmë ne me dëshmitarët tanë dhe një pjesë e tyre u refuzuan në mënyrë të papranueshme”.

“Pa dyshim, që është kompania që ka bërë procesin e demontimit, është kompania që ka patur kontratën, është kompania që ka qenë pjesëmarrëse në procesin e demontimit, si në të parën, si në të dytën. Është kompania që ka bërë transaksionet e ndryshme ndaj këtij procesi. Është kompania që ka prezantuar tek MM eksperiencën dhe teknologjinë që ka patur në posedim. Duhet çdo element që është marrë me këtë proces, duhet të ishte pjesë e dëshmisë apo vlerësimit juridik të veprimtarisë apo mos veprimtarisë së tyre”, shtoi ai.

Mediu tha se lidhur me kërkesën për t’u marrë ai në pyetje, tha se ka 17 vite që pret, por shtoi se për ta pranuar një gjë të tillë, por para se të japë dëshminë do të konsultohet me avokatin e tij.

“Unë e bëra deklarimin tim në seancë, që do të konsultohem me avokatët. Jam i gatshëm të pyetem për çdo gjë, kam pritur 17 vite për këtë, për t’u pyetur. Koha dhe si do ndodhi, për këtë do të kem një konsulencë me avokatin. Nuk dua akt formal, por dua një akt real të marrjes time në pyetje brenda dhe jashtë salle. Në logjikën time, akti i pyetjes së të pandehurit duhet të jetë në momentin kur ezauruohen të gjitha aktet e tjera juridike, të pyetjes së dëshmitarëve”, tha Mediu.

Ai në fund përsëriti edhe një herë ftesën që të gjithë dëshmitarët e thirrur të paraqiten dhe të përgjigjen për të vërtetën e tyre, pasi sipas tij, kjo është përgjegjësi morale dhe personale karshi viktimave të asaj ngjarje.

“Një pjesë kanë refuzuar të dëshmojnë, është e drejta e tyre, pasi thonë se kanë dhënë përgjigjet e tyre në proceset e mëparshme. Por do të ishte në detyrimin e tyre si qytetarë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që bën prokuroria, pala mbrojtëse dhe avokatët e familjarëve. Unë kam ardhur vetë në gjykatë për të bërë pyetje, për t’u përgjigjur, për t’u ballafaquar me pyetje për t’i shërbyer të vërtetës dhe e bëj këtë në sallën e gjyqit. I bëj thirrje të gjithëve të vijnë të përgjigjen për pyetjet, pasi ka të bëjë me të vërtetën e procesit, me të vërtetën e gjykimit të tyre në raport të vërtetën, ka të bëjë me humbjen e jetës së njerëzve, ku secili prej nesh, duhet të ketë përgjegjësi morale dhe personale”, përfundoi Mediu./ata