Bashkia e Korçës prezantoi sot ofertën jashtëzakonisht interesante turistike në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin (ITB-Berlin).

Nga stenda e Shqipërisë në këtë panair, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo folën për ofertën turistike që ofron Korça.

Kumbaro nënvizoi se “pikërisht nga Korça projektuam vizionin tonë të rilindjes urbane si pararendëse e zhvillimit të turizmit dhe Korça na e ktheu besimin duke krijuar modelin e bukur të turizmit, ku në çdo detaj ndihet dimensioni estetik dhe sqima që korçarët e kanë në gen”.

“Ka dy kryeqytete kulturore Shqipëria, Korça dhe Shkodra. Jam dakord që Korça është një dashuri, që nga serenatat, ushqimi, por është një dashuri sepse në vizionin tonë për të ndërtuar rilindjen urbane si një pararendëse të Shqipërisë turistike 2030 e nisëm nga Korça. Aty ishim më të sigurt për suksesin dhe Korça na e ktheu, krijoi modelin se si kur kemi energji mes sektorit privat, investimeve publike dhe vizionit të bashkisë, modeli quhet Korça turistike”, tha Kumbaro.

Ndërsa Filo foli për prezantimin e Korçës në këtë panair.

“Për turizmin ka shumë për të folur dhe kemi përgatitur një video që prezanton potencialet dhe ofertën turistike të Korçës të ndarë në 5 shtylla: natyrën, trashëgiminë kulturore, eventet e kulinarisë ku kemi bashkëngjitur edhe serenatat dhe jetën e natës dhe ‘Glamour of Korça’ që janë elementet e veçantë të arkitekturës së Korçës”, tha ai./ata