Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti sot anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Nikolla i shprehu përgëzimet presidentit të Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén.
“Kuvendi i Shqipërisë e ratifikoi ndër të parët Protokollin e anëtarësimit të Suedisë mike, nisur nga parimi se në këtë kohë të trazuar nga retë e luftës, një anëtar më shumë do të thotë një kontribues më shumë për mbrojtjen e paqes!”, u shpreh Nikolla.
Suedia i është bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s si anëtarja e saj e 32-të.
Pranimi i Suedisë në Aleancë do të thotë që të gjithë aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuar për të mbrojtur vendin nëse sulmohet, dhe anasjelltas.
Suedia gjithashtu sjell me vete një industri të konsiderueshme të mbrojtjes që tashmë furnizon disa vende të NATO-s.
Suedia dhe Finlanda kërkuan të bashkohen në NATO në maj 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të atij viti. Finlanda u bë anëtare e aleancës në prill 2023./ata