Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediet u fokusua tek ekonomia që sipas tij, është në pikiatë dhe sidomos treguesit që kanë të bëjnë me prodhimin dhe eksportet.

Meta dha disa shifra që sipas tij, tregojnë se modeli ekonomik i vendit ka nevojë të ndryshojë.

“Modeli ekonomik i vendit ka nevojë për përmbysje radikale, duke u orientuar tërësisht nga prodhimi dhe nga eksportet, nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, dhe jo vetëm nga sektori i ndërtimit dhe konsumit. Ndaj Shqipëria fuqi eksportuese, është një nga 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë”- u shpreh Meta.

Meta shtoi se përmes programit të Partisë së Lirisë, “do të garantojmë një rritje të eksporteve në masën mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga vetëm 8% që është sot dhe nga 57% që e ka Maqedonia e Veriut sot dhe nga 70% që është mesatarja e vendeve të BE-së”.

Kryetari i Partisë së Lirisë, listoi edhe mënyrat e realizimit të këtij prioriteti nga Partia e Lirisë, duke nisur nga shndërrimi i strukturës ekonomike të vendit në një strukturë prodhuese, jo importuese si dhe duke mbështetur në mënyrë të fuqishme konkrete biznesin prodhues dhe eksportues./ata