Një gropë e madhe financiare me efekte të rënda për pensionet dhe për marrjen e shërbimeve falas në shëndetësinë publike është krijuar në ekonominë shqiptare si pasojë e një fenomeni barbar që vijon në shumicën e bizneseve: Mos deklarimi i pagave reale ose mospagimi fare i sigurimeve shoqërore!
“Sektori privat po i rrit pagat, por shqetësimi është që po bëhet në mënyrë informale”, tha Kryeministri Edi Rama në 30 dhjetor 2023.
Mbi 158 mijë qytetarë janë prekur nga nën deklarimi i pagave prej vitit 2021. Kjo referuar rezultateve të nismave kundër informalitetit në paga të ndërmarra nga administrata tatimore. Ndërkohë afro 600 mijë qytetar shqiptar rrezikojnë të mbesin pa pension pasi pse figurojnë të punësuar, referuar shifrave zyrtare për ato nuk paguhen fare sigurime shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas INSTAT, deri në fund të muajit shtator të vitit 2023, vendi kishte 1,338,022 persona të punësuar, por nga këto vetëm, 737,421 punonjës (nga të cilët 179,075 ishin në sektorin shtetëror dhe 558,346 në sektorin privat) ishin kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Këto shifra zyrtare, nëse lexohen saktë nga institucionet që duhet të ndërhyjnë për të rregulluar tregun, konkurrencën e ndershme dhe për të garantuar të ardhmen e moshës së tretë, nxjerrin në pah një situatë alarmante: për 45% e totalit të të punësuarve në vend për të cilët bizneset nuk paguajnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke ju cenuar pensionin, i cili llogaritet mbi bazë të viteve të punës dhe të vlerës së kontributeve. Njëkohësisht rrezikojnë të mbeten edhe jashtë shëndetësisë falas.
Borxhet e bizneseve për mos pagim të sigurimeve shoqërore vjet arritën 22,5 miliardë lekë nga 20.5 miliardë lekë që ishte në vitin 2022. Kjo sjellje abuzive në sy të institucioneve dhe në dëm të qytetarëve është rritur vit pas viti.