Kryeministri Edi Rama deklaroi sot për mediet nga Shkodra ku u zhvillua takimi i punës mes qeverisë dhe bashkive të vendit se, reforma administrativo-territoriale ka ndihmuar në nivelin e të ardhurave të qeverisës vendore, të shpenzimeve, por ka ndihmuar edhe në nivelin e uljes së detyrimeve.

I pyetur nga gazetarët lidhur me borxhet e bashkive dhe ndihmën që po u jep qeveria, Rama tha se, “të ardhurat vendore në vitin 2023, krahasuar me vitin 2015 janë rritur 271%. Pra në vitin 2015 zgjedhjet e para pas ardhjes sonë në detyrë, të ardhurat vendore kanë qenë 13.1 miliardë, pra 131 milionë euro nëse i marrim sot dhe sot janë 310 milionë euro”, tha Rama.

“E dyta shpenzimet tërësore të pushtetit vendor në vitin e shkuar kanë qenë 102% më të larta në krahasim me vitin 2015. Pra nga 2.1% e PBB kanë vajtur në 3.1% e PBB, që është një shifër domethënëse”, theksoi Rama.

“Detyrimet vendore janë ulur 60%. Në vitin 2015-ën pushteti vendor ka pasur 12 miliardë lekë ose 120 milionë euro detyrime sot ka vetëm 48 milionë euro. Që do të thotë që bashkimi i komunave dhe krijimi i këtyre bashkive ka racionalizuar në mënyrë të ndjeshme edhe aspektin financiar të qeverisjes vendore, duke i rritur të ardhurat, duke shtuar mundësitë për të bërë investime dhe duke ulur detyrimet në mënyrë të ndjeshme”, theksoi Rama.

“Detyrimet do të vazhdojnë të ulen sepse ne kemi një plan të bashkëndarë me bashkitë që ulja e detyrimeve është një objektiv që ata duhet ta ndjekin në mënyrë që të kenë pastaj mbështetje më shumë nga ana  e qeverisë qendrore”, tha Rama./ata