Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë kthyer të hënën në mbrëmje në Kosovë nga Turqia, ku kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmeteve të 6 shkurtit që kanë lënë të vdekur mbi 40.000 njerëz.

 

Në aeroport ata janë pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë të kabinetit qeveritar.

 

Kosova, duke përfshirë vullnetarët dhe forcat e specializuara të FSK-së në dy rajonet e prekura nga tërmeti Hataj dhe Osmanije ka prezentuar me një personel prej 48 anëtarësh.

 

Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur që të nxjerrin të gjallë katër persona të cilët kishin qenë në rrënojat e objekteve të shkatërruar si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë.

 

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmeteve të 6 shkurtit, janë nderuar me medalje, pak minuta pas kthimit të tyre në Kosovë.

 

Medaljet, për të cilat ka dhënë urdhër komandanti i FSK-së, janë ndarë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe zyrtarë tjerë të institucioneve të Kosovës. /KosovaPress/