Kalaja e Libohovës ngrihet mbi një plan shkëmbor nëlindje të qytetit të Libohovë me një planimetri thuajse katërkëndëshe 70 x 80 m.

Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Gjirokastër solli të dhëna për këtë vendndodhje e cila ka marrë vëmendjen e historianëve dhe studiuesve dhe tashmë mund të vizitohet edhe nga publiku.

Kalaja e Libohovës përforcohet nga katër kulla poligonale në qoshet dhe me nje bastion në formë të rregullt gjeometrik ngjitur me njerën prej kullave në njërën nga qoshet. Fortifikimi është e pajisur me tre hyrje. Ajo ruan në të gjitha karakteristikat e ndërtimeve tipike të Ali Pashës.

Kalaja ka pasur rolin e një pallati të mbrojtur, e ndërtuar për motrën e Ali Pashes, Shanishanë. Brenda kalasë identifikohen ende rrënojat e sarajeve të motrës së Ali Pashës.

Sipas  prof. Karaiskaj, saraji dhe kalaja janë të së njëjtës kohë, dhe në fakt nga Pouqueville ajo përmendet vetëm si saraj e jo si kala ,duke mbartur kështu karakteristika të një saraji të dikujt të rëndësishëm siç ishte familja e Bejlerëve të Libohovës, pjesë e së cilës ishte dhe motra e Ali Pashës, Shanishaja.

Nga libri “Tepedelenli  Ali Paşa 1744-1822 “ me autor stërnipin e Shanishasë, Ahmed Müfid Bej Libohovën, ai e quan sarajin, sarajet e Bejlerëve dhe përmend faktin që në të ka kaluar natën vetë Aliu si i ftuar te Bejlerët e Libohovës apo vetë  Bajroni në udhëtimin e tij drejt Tepelenës ( kujtojmë që në këtë kohë Gjirokastra nuk kishte rënë akoma).

E sigurtë është, sipas specialistëve, që ky ndërtim i përket fundit të shek. 18 ose fillimit të 19 dhe është para marjes së Gjirokastrës nga Aliu ( 1808 ) apo dhe para ndërtimit te kalasë së “Shën Triadhës” përballë me Gjirokastrën.

Sarajet

Nga sarajet madhështore kanë ngelur gjurmët e themeleve dhe disa galeri në pjesën perëndimore, dikur pjesë e sarajeve. Gjatë rilevimit u evidentua një element dekorativ pjesë e muraturës së një këmbe qemeri brenda në kullën Nr. 3 e cila duket që është rindërtuar. Sarajet kanë qenë me 3 – 4 kate dhe zhvilloheshin në gjithë gjeresinë lindje-perëndim të kalasë.

Struktura murale e kalasë përbehet nga dy parete prej guri gëlqeror midis të cilave është hedhur mbushje me gurë e llaç.

Faqja e brëndshme e muraturës është ndërtuar në një menyrë të çrregullt, në këtë anë mund të dallohen edhe sot fare qartë gjurmët e brezit të trarëve prej druri që përbehen prej trarësh transversal me seksion 8 cm dhe dërrasas horizontale me dimension 4×10 cm të vendosur pothuajse në buzën e jashtme dhe mbulohen me një rrip të ngushtë horizontal prej gurësh./ata