Grupi i Rithemelimit në Partinë Demokratike denoncoi për publikun atë që e quajti skandalin e vjedhjes së radhës në bashkinë e Tiranës.

 

Në një deklaratë për mediet, shefi i Organizimit të kësaj partie, Klevis Balliu u shpreh se tenderi me objekt: “Rehabilitimi i rrugëve 5 Maji – Dibrës – Njazi Meka – Abedin Cici” i është bërë “qokë” shoqërisë “Shkëlqimi 07”. Kjo kompani, sipas Balliut, i përket Agron Kapllanajt, një deputeti që ka marrë votat e demokratëve të Mallakastrës, por bën punët e Alibashës dhe pastron paratë e Rilindjes.

 

“Qartësisht ka dy standarde në vlerësimin e ofertave pjesëmarrëse, por tenderin miliarda lekë duhet ta fitojë “Shkëlqimi 07”, sepse i duhet partisë, jo vetëm si financues i Alibashës, por edhe si financues për fushatën e tij. Referuar sa më sipër, duke qenë se nga Agjencia e Prokurimit Publik nuk merret asnjë masë që shoqëria dhe oligarku “Shkëlqimi 07” Shpk të përjashtohet nga të gjitha prokurimet publike për 3 vite, sepse i ka fituar të gjithë tenderat, veçanërisht kontrata e mësipërme, nën mashtrim, sepse paraqet të njëjtët punonjës në të gjitha kontratat dhe tenderat ku nënshkruan kontrata”, u shpreh Balliu.