Grupi Parlamentarë i Partisë Demokratike, i kërkon Gjykatës Kushtetuese, përshpejtimin e shqyrtimit të ankimimit për ligjin e “Komisioneve Hetimore”. Në kërkesën e firmosur nga Gazment Bardhi, thuhet se ky ligj mbart interes të veçantë publik, pasi lidhet me kontrollin e kuvendit ndaj ekzekutivit.

“Në kushtet kur ligji objekt shqyrtimi prek një prej të drejtave themelore që Kushtetuta e Shqipërisë i garanton deputetëve të pakicës parlamentare dhe një prej funksioneve themelore të Kuvendit, atë të kontrollit efektiv të qeverisjes, është e kuptueshme se kjo çështje mbart një interes të veçantë publik, dhe shqyrtimi i saj duhet të bëhet me përparsi, siç ka vepruar Gjykata edhe në precedentin e mëparshëm lidhur me kërkesën e 45 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë”, të ndryshuar”. Shqyrtimi me përparësi i kësaj çështjeje duhet të marrë në konsideratë edhe faktin se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimore, e cila ndodhet e depozituar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë (shih paragrafin 39 të kërkesës), ashtu si edhe kërkesat e tjera në të ardhmen mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta nga aplikimi i Ligjit nr. 106/2023. Po ashtu, Gjykata duhet të konsiderojë faktin se legjislatura parlamentare aktuale është në vitin e saj të fundit dhe zgjatja në kohë e shqyrtimit të kësaj kërkesë dëmton drejtpërdrejtë hetimin parlamentar”, -thuhet në shkresë.

Ndër të tjera Bardhi thekson se hetimi parlamentar është jo vetëm një e drejtë e garantuar nga neni 77, pika 2, e Kushtetutës së Shqipërisë, e deputetëve të pakicës parlamentare, por edhe një prej funksioneve themelore të Kuvendit të Shqipërisë që lidhet me ushtrimin e kontrollit efektiv të qeverisjes.

Më poshtë kërkesa e plotë: