Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndodhet në Nju Jork, ku po merr pjesë në punimet e Sesionit të 68-të të Komisionit për Statusin e Gruas pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Përmes një videomesazhi nga selia e OKB-së, Koçiu informoi se ky sesion fokusohet në përshpejtimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave duke adresuar varfërinë, forcimin dhe financimin e institucioneve përgjegjëse.

Ministrja theksoi se “vendi ynë e ka vendosur barazinë gjinore në krye të agjendës së tij ndërkombëtare dhe kombëtare duke besuar se eliminimi i të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave dhe respektimi i barazisë gjinore si dhe fuqizimi i grave, janë ndër të drejtat themelore të njeriut”.

Koçiu theksoi se “në nivel ndërkombëtar fuqizimi i grave, forcimi i paqes dhe i sigurisë ishin një ndër prioritetet kryesore të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

Sipas ministres Koçiu, “Shqipëria është një nga vendet që i ka kushtuar vëmendje ngritjes së mekanizmave për të siguruar buxhetimin gjinor në ciklin vjetor të miratimit të buxhetit të shtetit”.

“Gjithashtu, ne po luftojmë në mënyrë efektive dhunën ndaj grave në tre fronte; ndryshimet në kodin penal që kanë ashpërsuar ndjeshëm dënimin për abuzuesit, rritjen e financimit për programet e asistencës sociale dhe programet e rehabilitimit si dhe fushatat dhe programet mbarëkombëtare ndërgjegjësuese”, shtoi ministrja.

Për më tepër, Koçiu theksoi se “politikat universale si ndihma financiare për lindjen e fëmijëve dhe politika mbështetëse për nënat e papuna kanë sjell rezultate të rëndësishme”.

“Së bashku ne po bëjmë hapa drejt një të ardhmeje ku barazia gjinore nuk është thjeshtë një aspiratë, por një realitet dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim për Shqipërinë Evropianë 2030”, theksoi ajo./ata