Kryeministri Edi Rama tha sot gjatë një takimi me shqiptarë që jetojnë e punojnë në Athinë, se po punohet me Greqinë për integrimin ndërkufitar të Parkut të Vjosës.

“Një tjetër faqe e bukur bashkëpunimi dhe afrimi, e kemi hapur me propozimin tonë dhe dakordësinë, me thënë të drejtën të menjëhershme të qeverisë greke, për ta integruar, duke bërë një integrim ndërkufitar, parkun kombëtar të Vjosë, i cili në vitet e ardhshme do të jetë një motor gjithnjë dhe më i fuqishëm i industrisë sonë të re të turizmit”, deklaroi Rama, gjatë një takimi me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Athinë.

Por, theksoi ai, duke u kthyer në një park europian të integruar ku s’ka kufi, por triumfon natyra që na bashkon qysh se kemi ardhur në këtë botë.

“Do të jetë një shembull magnetik qoftë për çfarë mund të bëjmë së bashku, Shqipëria dhe Greqia me njëra-tjetrën, për njëra-tjetrën dhe për Europën tonë, qoftë për turistët dhe vizitorët nga e gjithë bota”, deklaroi Rama./ata