Në Gjykatën e Lartë po shqyrtohet kërkesa e familjarëve të Aleks Nikës që dosja e “21 Janarit” të hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Trupa gjykuese e cila po shqyrton kërkesën është e përbërë nga gjyqtarët: Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
Gjatë seancës, siç raporton “Abcnews”, ka patur diskutime mes togave të zeza të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të SPAK të pranishëm në seancë, Alfred Shehu.
“Prokuror, ju keni bërë veprime verifikuese?”, ishte pyetja e shtruar nga gjyqtari Sokol Binaj.
Alfred Shehu, prokuror i SPAK u shpreh se; “Po sepse ka pasur edhe kallëzime nga palë të tjera dhe kemi kërkuar informacion tek Prokuroria e Tiranës”.
Gjyqtari Sokol Binaj më tej solli në vëmendje vendimin e Gjykatës së Strazburgut. “Nën prizmin e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e shikoni ndryshe aktin e SPAK?”, pyeti gjyqtari.
“Organet duhet të bëjnë hetim të plotë, ky procedim po hetohet nga një prokurori kompetente”, theksoi Alfred Shehu, prokuror i SPAK.
Më tej dy gjyqtarët, Ilir Panda dhe Sokol Binaj vijuan me pyetjet: “Edhe për zinxhirin drejtues të shtetit?? Ka ndonjë stimul për ju?”, tha Panda. “Ku e bazoni shkresën e drejtuesit të prokurorisë së posaçme për të shpallur mos kompetencë më tregoni dot dispozitën? Keni detyrimin që para një kallëzimi ka apo nuk ka elementë për ta regjistruar, ose ka dhe regjistrohet ose nuk ka dhe rrëzohet dhe jepini për të dyja rastet argumentet”, vijoi Binaj.
“Në SPAK nuk është regjistruar kallëzimi. Ky disponim i SPAK është vlerësuar edhe nga kolegje të tjera të gjykatës së Lartë. Ne nuk kemi regjistruar kallëzim penal. Ai kallëzim është vlerësuar nga një tjetër prokurori kompetente”, tha prokurori Shehu.