Ura e re e Kukësit, që bashkon brigjet e Drinit, në Rrugën e Kombit e për të cilën po punohet prej tre vitesh, është një nga veprat e mëdha transformuese urbane, që i jep zgjidhje një nyjeje të vjetër lidhëse të dy anëve të liqenit me rrugën kombëtare.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kukës, ku inspektoi në terren ecurinë e deritanishme të punimeve, si dhe u njoh me detaje teknike të projektit të kësaj vepre me kompleksitet të lartë inxhinierik.
“Dëgjova këtej se qenkan hedhur përpjetë disa vëzhgues të hollë rrjetesh sociale që paskan vënë kujën pse ura është ndryshkur pa u vënë akoma.
Qetësojini, thuajuni që nuk është hekur i ndryshkur po një çelik super rezistent i quajtur korten (cor-ten), i cili u shpik nga Korporata Amerikane e Çeliqeve si çeliku më i qëndrueshëm ndaj impaktit të korozionit dhe presionit të peshave, e që përdoret edhe si material i veçantë në arkitekturën bashkëkohore”, tha Rama.
Ura ka një gjatësi totale prej 310 metrash, me dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa në të gjithë gjatësinë e saj është konstruksion metalik, me një hark të madh, pa mbështetje të ndërmjetme.
“Tani është momenti final. Në momentin që kalohen trarët metalikë, që janë të përkohshëm, që nuk lëvizin, kjo merr pozicioni final. Nuk është për t’u mburrur, por është e rrallë që nuk është bërë asnjëherë në Evropë një gjë e tillë. Nuk e di për në vende të tjerë, por kaq njohuri sa kemi ne. Me një fjalë, ky lloj operacioni që një pjesë e urës ndërtohet këtu, një pjesë është në tokë, një pjesë është duke u zhvendosur në ujë është i vështirë, dhe aq më tepër kur është fjala për një liqen që lëviz në relievin e tij”, shpjegoi drejtuesi i punimeve, teksa shtoi se kompleksiteti i veprës në disa raste ka shtuar vështirësitë teknike.
“Ura realisht ka gati tre vjet që ka filluar. Prodhimi është bërë në fakt shpejt, por pati një sërë problemesh strukturore që donin një zgjidhje tjetër. Po të shikoni gjithë strukturat ndihmëse për të bërë zhvendosjen e urës, të gjithë këto elementë duhet të hiqen që të ulen prapë. Gati 1500 – 1600 tonë vetëm për të bërë zhvendosjen. Operacioni është shumë i vështirë dhe të gjitha mjetet që kanë qenë shumë të rënda, janë mjete të marra me qira ose me kompani tjetër, kompani italiane. Të gjitha këto janë operacione të bëra më mbrapa”, detajoi ai.
Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin do të shmangë vështirësitë në qarkullim, sidomos në sezonin e verës, dhe aksidentet në kohën e ngricave, duke i dhënë një përmasë spektakolare udhëtimit mbi liqen./ata