Për herë të parë organizohet Festivali i Peshkatarëve Shqiptarë në Pogradec.

Lajmi bëhet me dije nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Me grepin e hedhur në lumë, nga rrjetat e barkave shpërndarë në liqen, te flota e anijeve të peshkimit nëpër dete, Shqipëria është tashmë një superfuqi evropiane në peshkim”, shprehet Rama.

Rama i fton të pasionuarit pas këtij sporti, por jo vetëm, që t’u bashkohen peshkatarëve, kuzhinierëve, artistëve, ku nuk do të mungojë muzika, argëtimi, vallja dhe shumë surpriza.

Festivali zhvillohet në datat 2, 3 e 4 gusht në Pogradec.

Pas “Saranda Fish Festival”, aktivitet që kremtoi në datat 28 maj – 1 qershor jo vetëm traditën e bukur të peshkimit, por edhe kulturën, historinë e nautikës dhe mikpritjen shqiptare, tashmë është radha e qytetit bregliqenor të nisë një traditë të re në këtë fushë.

Qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të posaçme sektorit të peshkimit, duke e kthyer në sektor prioritar.

Ndryshimet e bëra së fundmi në ligjin “Për peshkimin”, synojnë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të peshkimit dhe rritje e eksporteve, si dhe në përditësimin dhe përafrimin me legjislacionin e ri të Bashkimit Evropian në fushën e peshkimit, rregullimin dhe përmirësimin e dispozitave lidhur me infrastrukturën e peshkimit, mënyrën e menaxhimit dhe transferimit të saj, si dhe rishikimin e nivelit të masave për sanksionet e parashikuara./ata