Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të takohen sot në Bruksel. Ndër temat që pritet të diskutojnë sot kryenegociatorët në kuadër të dialogut, do të jetë edhe çështja e dinarit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndërmjetësuesit evropianë të procesit do të presin veç e veç Besnik Bislimin e Kosovës dhe Petar Petkoviqin e Serbisë, si udhëheqës të delegacioneve të tyre.

Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë.

Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet, megjithatë, mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë – temë kjo, po ashtu, e paralajmëruar nga BE-ja.

Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Çështja, përveçse zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se është arritur pajtueshmëri për, siç u shpreh ajo, një pjesë të propozimit amerikan për dinarin, dhe shtoi se “do të ishte ideale” që për këtë çështje të arrihet një marrëveshje gjatë takimit të sotëm në Bruksel./ata