Eksportet në vlerë drejt Gjermanisë në gjysmën e parë të këtij viti shënuan rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar të dhënave, eksportet drejt Gjermanisë llogariten rreth 11.1 miliardë lekë, nga 12.8 miliardë lekë që llogariteshin për të njëjtën periudhë në 2023-shin.

Në rënien e eksporteve me 1.7 miliard lekë, ndikimin kryesor e dha grupi minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. Të dhënat tregojnë se nga 4.9 miliardë lekë që ishte vlera e eksporteve të mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike, ato ranë në 3.4 miliardë lekë, në 6-mujorin e parë të 2024.

Ndryshe nga eksportet, importet shënuan rritje me rreth 1.1 miliard lekë përkundrejt 2023-shit, ose 3.6 %, duke arritur në 31.3 miliardë lekë nga 30.2 miliardë lekë që ishin në 2023-shin.

Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 llogariten në rreth 6 % të totalit, duke e renditur këtë vend si partnerin e pestë tregtar të vendit tonë.

Qeveria federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se një miliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë një ndër donatorët bilateralë më të mëdhenj në vend./ata