Projekti nga “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”, i financuar nga qeveria shqiptare dhe BERZH, synon të kontribuojë pozitivisht në rritjen ekonomike të rajonit, duke pasuruar peizazhet piktoreske, duke zhvilluar më shumë turizmin, duke rritur punësimin dhe duke sjellë potencialisht më shumë të ardhura për komunitetet e zonës.

Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi dhe miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”.

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit Almira Xhambulla gjatë prezantim të projektligjit, tha se “ratifikimi i marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”, akordon një financim, në shumën 75 500 000 euro”.

“Qëllimi i projektligjit është të reduktojë ndotjen nga burimet tokësore në mjedisin ujor në zona të përzgjedhura të brezit bregdetar jugperëndimor të Shqipërisë. Objektivat që projekti synon të arrijë lidhen me promovimin e qasjeve të integruara qarkulluese për mbrojtjen e peizazheve dhe burimeve ujore, uljen e ndotjes së ujit në lumin Vjosë dhe zgjerimin e infrastrukturës sanitare”, u shpreh Xhambulla.

Ndërsa relatorja e çështjes, Hatixhe Konomi, tha se “Ky projektligj është një iniciativë konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e ndotjes kryesisht në zonën bregdetare jugperëndimore të Shqipërisë.”

“Të gjitha ndërhyrjet me ndihmën e projektit  do të ketë impakt pozitiv në mjedis në terma afatgjatë, sepse synon përmirësimin e shërbimeve publike bashkiake nëpërmjet menaxhimit të kontrolluar dhe të qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta bashkiake dhe ujërave të ndotura”, u shpreh Konomi.

Pas diskutimeve, pyetjeve e komenteve të ndryshme, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi./ata