Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla zhvilloi sot një takim pune me përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të Quint-it në OSBE.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin ambasadori i Italisë, Stefano Baldi, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Neil Holland, ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schütz, ambasadorja e Francës, Fatène Benhabylès-Foeth dhe zv/ambasadorja e SHBA, Katherine Brucker.
Kryetarja Nikolla nënvizoi se Prezenca e OSBE-se në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një partner i besueshëm, në mbështetje të reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse, të cilat kanë nxitur e mbështetur demokratizimin dhe integrimin euroatlantik.
Nikolla vlerësoi kontributin dhe arritjet në avancimin e reformës zgjedhore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe ndaj kërcënimeve ndërkombëtare dhe kombëtare të Shqipërisë dhe rajonit.
Presidenca e suksesshme e Shqipërisë gjatë vitit 2020 shërbeu si një përvojë për suksesin e mandatit e saj dyvjeçar si anëtare e zgjedhur e KS të OKB.
Kryetarja Nikolla i falënderoi ambasadorët edhe për mbështetjen e Kosovës nga ana e vendeve të tyre si edhe nga misionet e tyre pranë OSBE-së.
Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të Quint-it vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm të Shqipërisë me Prezencën e OSBE-së, arritjet në avancimin dhe thellimin e reformave, duke u fokusuar në punën që po bëhet për reformën zgjedhore dhe zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, reformën në drejtësi, barazinë gjinore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./ata