Tabloidi britanik “Express” i ka kushtuar një reportazh turizmit të Shqipërisë, me vëmendjen tek aeroporti i ri i Vlorës, si një arsye më shumë që vizitorët britanikë të udhëtojnë direkt drejt jugut dhe plazheve të rivierës shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau /sot në rrjetet sociale artikullin e plotë të publikuar në tabloidin britanik për Shqipërinë.

“Pas ‘The Guardian’ është radha e tabloidit britanik ‘Express’ që t’i kushtojë një reportazh turizmit të Shqipërisë me vëmendjen tek aeroporti i ri i Vlorës si një arsye më shumë që vizitorët britanikë të udhëtojnë direkt drejt jugut dhe plazheve të rivierës sonë”, shkruan Rama.
 
Kryeministri theksoi po ashtu se në vitin 2023 Shqipëria mirëpriti rreth 240 mijë vizitorë anglezë, ndërsa shprehu bindjen se më të shumtë do të jenë.
 

“Por, vitet e fundit, riviera shqiptare ka përjetuar një rritje të vizitorëve, përfshirë britanikët, të cilët kanë zbuluar se ujërat e saj të bruztë, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë. Dhe ky destinacion së shpejti mund të mirëpresë shumë pushues të tjerë pasi po përgatitet të lançojë aeroportin e tretë ndërkombëtar, i cili do t’i shërbejë një prej qyteteve më të bukura të rivierës shqiptare”, shkruan “Express”.

Për tabloidin britanik, Vlora është bërë veçanërisht e popullarizuar në mesin e turistëve falë vijës bregdetare shkëmbore, plazheve të bukura, ushqimit të jashtëzakonshëm të ndikuar nga kuzhina italiane dhe historisë së pasur.

“Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me siguri do të sigurojë një arsye tjetër për turistët për të udhëtuar drejt kësaj riviere, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga qendra ajrore në bregdet”, shkruan “Express”./ata