Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj tha se “në 5930 kompani ndërtimi që operojnë në vend, 32% e punonjësve paguhen me paga minimale”.

 

Në fjalën e saj gjatë një takimi në kompaninë Kika Sh.p.k, ndër sipërmarrjet e para në fushën e ndërtimit me 100 të punësuar, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministrja Ibrahimaj tha se “sot jemi në një politikë pagash më të qëndrueshme, jemi në kushtet kur biznesi ka arritur një maturi, që të vlerësojë që kapitali njerëzor është ai më i vyeri”.

 

“Mund të bëjmë investime sa të duam, mund të kemi para si biznes për të kryer këto investime, por nëse nuk investojmë në njerëz nuk do ta marrim asnjëherë maksimumin e investimeve që bëjmë”, tha Ibrahimaj.

 

“Shifrat e kohëve të fundit e tregojnë qartë këtë, ne nëpërmjet politikave tona kemi rritur në mënyrë të herëpashershme pagën minimale, por ka disa sektorë specifikë, të cilët nuk paguhen më me pagë minimale dhe shifrat e firmës “Kika” e tregojnë këtë. Me pagë minimale në kompaninë ku ndodhemi janë 4 punonjës nga 90 që punojnë këtu, sepse kjo kompani vlerëson punonjësit e vet dhe ky sektor në fakt nuk ka më paga minimale. Janë 5930 kompani, të cilat operojnë në sektorin e ndërtimit , i cili në këtë moment është në lulëzim qoftë nga politikat e ndjekura nga ne, qoftë prej procesit të madh të rindërtimit, i cili i dha një hov këtij sektori”, nënvizoi Ibrahimaj.

 

Sipas saj, këtu kushtet e punës në këtë sektor janë të vështira dhe është e pamundur që punonjësit të paguhen me paga minimale.

 

“Kjo është arsyeja pse ne bëmë një hov në rritjen e pagës minimale nga 34 mijë lekë nga java e ardhshme do të jetë 40 mijë lekë, pasi ne mendojmë se ka ende sektorë  që vuajnë nga informaliteti dhe dhënia e zarfeve nën dorë që janë të padrejta. Ka edhe shumë sektorë të tjerë që vijojnë të operojnë në këtë formë dhe kjo është arsyeja pse po shkojmë në të gjitha bizneset që kapërcimin e pagës e kanë bërë përpara se qeveria të marr vendim për këtë, biznese që nuk kanë pasur nevojë të nxiten nga politikat qeveritare, por e kanë vlerësuar kapitalin njerëzor dhe do vijojnë ta vlerësojnë”, tha Ibrahimaj.

 

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se “me rritjen e pagës minimale, pagat mesatare në kompaninë “Kika’ nga 60 mijë lekë do të shkojnë në 68 mijë lekë”.

 

“Rritjen e pagave nuk po e aplikojmë vetëm në sektorin privat, kemi ndërmarrë një reformë për pagat edhe në sektorin publik, është iniciativë e guximshme, por ne kemi ndërtuar infrastrukturën e duhur ekonomike, e cila mund ta përballojë këtë rritje të pagave. Të ardhurat që mbledh qeveria janë mjaftueshëm më të larta që të arrijmë në një nivel pagash që më parë nuk përballohej dot”, tha Ibrahimaj./ATSH