Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, autonomia spitalore do të sigurojë paga më të larta për mjekët, por edhe do t’i japë fund fenomenit të ryshfetit në shëndetësi.

 

Gjatë përurimit të Spitalit Qendror në QSUT, Rama tha se, “rritja e pagës së mjekëve specialistë me 5 mijë lekë është një rritje e jashtëzakonshme, e pandodhur më parë, por me autonominë spitalore ne duam që mbi këtë nivel bazë mjekët të fitojnë më shumë në raport me kontributin”.

 

“Ne e dimë shumë mirë që të gjithë mjekët specialistë janë në shërbim, pot jo të gjithë kryejnë të njëjtin volum pune. Në raport me këtë autonomia spitalore do të mundësojë që kush kontribuon më shumë e kryen një volum më të madh pune do të marrë më shumë financiarisht mbi këtë nivel. Ky është niveli që do të garantojë buxheti i shtetit, pjesën tjetër do ta garantojë autonomia spitalore”, tha ai.

 

Kryeministri u shpreh se, askush nuk do të ketë nevojë të punojë në spitale private për t’u paguar më shumë.

 

“Ne jemi këtu që të bëjmë sistemin publik të ndjehet sa më mire. Askush nuk do të ketë më nevojë të punojë në spitalet private. Puna në spitalin publik do të jetë edhe një mundësi për të kryer punë në profesion njësoj dhe për tu shpërblyer përtej pagës. Në këtë mënyrë do të mbarojë përfundimisht edhe historia e ryshfeteve. Është absolutisht e pavërtetë dhe  e neveritshme shprehja e rëndomtë dhe  e përsëritur se: ‘këta të lënë të vdesësh po nuk fute dorën në xhep’. Realiteti i sotëm i shërbimit shëndetësor është komplet ndryshe. Autonomia spitalore dhe mundësia për të fituar më shumë përtej pagës pa lëvizur nga vendi i punës në shërbimin publik do t’i japë fund edhe kësaj historie”, tha ai./ATSH