Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo foli sot për kapjen në Durrës të 22 mijë e 500 ton naftë kontrabandë.

 

“Ndalimi i një anijeje në portin e Durrësit me 22 mijë e 500 ton naftë kontrabandë ka ndodhur para dy ditësh. Kapja e kësaj anijeje nuk mund të duartrokitet si punë e mirë e organeve ligjzbatuese, sepse siç dëshmojnë raportet mediatike dhe konfidenciale, për çdo anije të kapur disa dhjetëra lejohen të vazhdojnë shkarkimin”, tha ajo.

 

“Anija e kapur me mijëra tonelata naftë vinte nga Rusia, një vend në sanksionet e SHBA dhe Bashkimit Europian. Anijet me naftë ruse, apo nga zonat nën embargo si Libia e Siria, nuk janë tashmë një lajm i ri për kronikën policeske dhe mediatike”, theksoi Garo.

 

“Pak kohë më parë Progres -Raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë dha një kambanë të fortë alarmi me një listë të gjatë shkeljesh, ndër to edhe për trafikun dhe kontrabandën”, shtoi Garo.

 

Sipas saj, “të hapësh Durrësin dhe Adriatikun për anijet ruse, një ëndërr e vjetër e Moskës, është një tradhti e dyfishtë kombëtare. Ta bësh këtë në kohë lufte, kur populli ukrainas përpiqet për lirinë dhe mbijetesën është tradhti globale”.

 

“Miqve ndërkombëtarë u themi: Edi Rama nuk mund të konsumojë më nga kreditet e mira të popullit shqiptar me qeveritë e vendeve tuaja. Ka ardhur koha që edhe ju t’i thoni “Mjaft më!” këtij përfituesi lufte. Indiferenca, si brenda dhe jashtë, dëmton imazhin, i bën atentat të ardhmes së vendit, dhe e bën Shqipërinë një aleat nominal, pa vlera të vërteta”, u shpreh ajo.