Kryeministri irlandez, Leo Varadkar, u ka bërë thirrje të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të bashkohen në mbështetjen e një armëpushimi të menjëhershëm në Rripin e Gazës.
Duke folur për mediat para fillimit të samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, kryeministri Varadkar tha se përgjigja e BE-së ndaj “krizës së tmerrshme të Palestinës nuk ka qenë ora e saj më e mirë”.
Ai paralajmëroi kundër çdo ofensive tokësore izraelite në Rafah, ku aktualisht janë strehuar mbi 1.4 milionë civilë palestinezë.
“Izraeli nuk duhet të nisë një ofensivë tokësore në Rafah, ku mbi një milionë palestinezë janë zhvendosur për siguri. Iniciativat e fundit për të marrë më shumë ndihma në Gaza nga deti dhe ajri janë thelbësore, por është jetike që më shumë ndihma të lejohen në Gaza përmes rrugës për t’i dhënë fund urisë”, tha Varadkar.
Sipas tij, përveç një armëpushimi të menjëhershëm, mundësia më e mirë që kemi për paqe dhe drejtësi është “nëse SHBA-ja dhe Evropa udhëheqin një proces drejt zgjidhjes me dy shtete që rezulton në një shtet palestinez”.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.
Afër 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 74.200 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa