Në vitin 2023, ekonomia shqiptare, krahasuar me vitin 2022, shënoi rritje në terma nominalë 10.24 % dhe në terma realë (në volum) prej 3.94%.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të dhënat e rishikuara të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), për periudhën 2018-2023. Sipas raportit në vitin 2022, rritja e PBB-së në terma realë është 4.83 %, krahasuar me
vitin 2021.
PBB me çmime korrente në vitin 2023 u vlerësua 2,369,906 milionë lekë, 2,149,741 milionë lekë për vitin 2022.
Për sa i përket strukturës së PBB-së, sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2023 vazhdojnë ta zënë Shërbimet gjithsej me 47.96%, duke shënuar një rritje në terma realë me 8.26%.
Industria dhe ndërtimi përbëjnë 23.03% të PBB-së.
Në terma realë industria shënoi rënie me 2.37% dhe ndërtimi rritje me 8.48%. Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 16.22% të PBB-së dhe kanë shënuar një rënie prej 1.82% në terma realë.
Kontributin kryesor në rritjen në terma reale e kanë dhënë aktivitetet e ekonomisë “tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” me 1.65 pikë përqindje, “administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” me 1 pikë përqindje, “ndërtimi” me 0.98 pikë përqindje, “aktivitetet profesionale, administrative dhe mbështetëse” me 0.76 pikë përqindje, “arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” me 0.23 pikë përqindje, “informacioni dhe komunikacioni” me 0.15 pikë përqindje.
Taksat neto mbi produktet kontribuan respektivisht me 0.28 pikë përqindje më pak.
Sipas PBB-së me metodën e shpenzimeve, konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi me 82.25%. Ky komponent u rrit me 8.73% në terma nominalë dhe 3.19% në terma realë.
Konsumi final i popullatës zë 69.64% të konsumit final, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 12.05% dhe konsumi i institucioneve në shërbim të familjeve (NPISH-eng) me 0.57%.
Në vitin 2023, formimi bruto i kapitalit fiks i cili përbën 24.05% të PPB-së, u rrit në terma nominalë me 3.15% dhe në terma realë me 1.04%, krahasuar me vitin 2022.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 14.59% në terma nominalë dhe me 9.45% në terma realë, ndërkohë importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 1.72% në terma nominalë dhe me 0.21% në terma realë, krahasuar me vitin 2022.
Në kuadër të rishikimit të llogarive kombëtare, vlerësohet për herë të parë Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), me metodën e të ardhurave.
Sipas kësaj metode, fitimi operativ bruto, i cili shpreh vlerën që mbetet pas zbritjes nga vlera e shtuar e kompensimit të punonjësve dhe taksave neto në prodhim, përbën peshën kryesore të të ardhurave në ekonomi me 61.49%.
Kompensimi i punonjësve, i cili përfshin shpërblimin gjithsej, në para ose në natyrë, që punëdhënësi i paguan punonjësit në këmbim të punës së kryer nga ky i fundit, zë 24.34%, i ndjekur nga taksat mbi produktet me 12.82%./ata