Hyrjet e të huajve shënuan në muajin e dytë të vitit rritje me 55.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti, bëri të ditur INSTAT.
Sipas INSTAT hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shkurt 2024, janë 981.295. Ky tregues rezulton me një rritje 41,1%, krahasuar me Shkurt 2023. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shkurt 2024, janë 1.002.781, duke shënuar një rritje me 44,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Në Shkurt 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 500.756. Ky numër është rritur me 29,8%, krahasuar me Shkurt 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 480.539. Ky numër është rritur me 55,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023” vlerëson INSTAT.
Ndërkohë sa i takon daljeve të shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shkurt 2024 janë 507.095. ”Krahasuar me Shkurt 2023, ky tregues është rritur me 30,1%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shkurt 2024, janë 495.686. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 63,4%” thuhet në publikim.
Sipas INSTAT në Shkurt 2024 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 459.700 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 8.147 dhe 2.979 shtetas.
Sektori i turizmit pritet që të arrijë një tjetër rekord këtë vit që sipas turoperatorëve është e lidhur së pari me një jehonë që vendi e trashëgoi nga viti i shkuar, promovimi intensiv në mediet ndërkombëtare që po vijon edhe këtë vit, rritjes së pjesëmarrjes së tregjeve të organizuara si dhe faktit që jemi ende një destinacion ekonomik./ata