Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti në një takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kryesuar nga Piotr Jacek Szpunar, drejtor rajonal për Poloninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë, si dhe Ekaterina Solovova, përfaqësuese rezidente e BERZH-it në Shqipëri. Në takim merrnin pjesë dhe përfaqësues të tjerë të Bankës së Shqipërisë.

Fillimisht, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të vendit tonë me BERZH-in dhe i falënderoi përfaqësuesit e tij për kontributin e çmuar që ai ka dhënë për Shqipërinë, si një ndër investitorët më me peshë, falë të cilit janë realizuar projekte shumë të rëndësishme për sistemin bankar.

Ai shprehu në veçanti mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen që BERZH-i ofron në vazhdimësi për Bankën e Shqipërisë, së fundmi edhe në fushën e mbikëqyrjes bankare, nëpërmjet asistencës teknike lidhur me vetëvlerësimin e përputhshmërisë me standardet evropiane.

Guvernatori theksoi se inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes të Bankës së Shqipërisë dhe se politikat monetare dhe ato ekonomike të ndjekura kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit dhe në uljen e pasigurisë. Këto politika të ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e BERZH-it rikonfirmuan mbështetjen që ky institucion do të vijojë të japë për Shqipërinë, veçanërisht për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë në Shqipëri, së bashku me BE-në dhe partnerë të tjerë. Një shembull mjaft i mirë është lehtësimi i financimit të ekonomisë së gjelbër, përmes të cilit BERZH-i ka mbështetur kreditimin e bankave për sektorin rezidencial për investime në përmirësimin e eficiencës së energjisë.

Ata u ndalën gjithashtu në rolin që Banka e Shqipërisë ka në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, duke e cilësuar atë si një nga më të avancuarit në Ballkanin Perëndimor.

Ata gjithashtu u shprehën se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ata theksuan përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit.

Përfaqësuesit e BERZH-it vlerësuan bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, si një partner serioz që ka dhënë një vlerë të shtuar për zbatimin e suksesshëm të projekteve të tyre në fushën bankare dhe u shprehën të gatshëm të vijojnë bashkëpunimin në fusha si mbikëqyrja bankare, ndërhyrja e jashtëzakonshme dhe operacionet monetare./ata