Zëvendësguvernatorja e Parë, e Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi, mbajti një leksion të hapur për studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, me temë “Edukimi Financiar, çelësi për të maksimizuar përfitimet nga inovacionet në Sistemin e Pagesave”.
Prof. dr. Minxhozi diskutoi me studentët hapat e rëndësishëm që Banka Qendrore po ndërmerr për të modernizuar sistemin financiar në Shqipëri përmes zbatimit të Ligjit “Për Shërbimet në Pagesa”.
Ky ligj, në fuqi prej vitit 2020, synon ndër të tjera të nxisë formalizimin, konkurrencën dhe eficiencën në sektorin financiar, duke i ofruar qytetarëve dhe bizneseve mundësinë të përdorin instrumente inovative të pagesave që i kthejnë telefonat e tyre në portofola digjitalë. Ajo theksoi se ky ligj është një hap i madh përpara për ekonominë shqiptare. Ai u mundëson qytetarëve të kryejnë transaksione financiare me kosto pothuajse zero, në kohë të shkurtër, dhe është veçanërisht i rëndësishëm për të rinjtë, të cilët pritet të jenë përdoruesit kryesorë dhe përfituesit më të mëdhenj të inovacioneve që mundëson ligji. Ligji, nënvizoi zëvendësguvernatorja Minxhozi, hap gjithashtu dritën jeshile për forma të reja ndërmjetësimi dhe forcon mesazhin se mbajtja e të ardhurave në sistemin bankar është zgjedhja më e mirë për qytetarët, duke minimizuar kështu edhe kostot e përdorimit të tepërt të parave cash.
Gjatë leksionit, u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave në Euro/ Singel European Payments Area (SEPA), i cili pritet të sjellë përfitime të mëdha në uljen e kostove dhe shkurtimin e kohës së transaksioneve financiare për individët dhe bizneset në Shqipëri. Zëvendësguvernatorja e Parë vijoi diskutimin dhe mbi objektivat strategjikë të Bankës, në kuadër të modernizimit të mëtejshëm të sistemit të pagesave. Një nga projektet më ambicioze të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë është dhe projekti për implementimin e sistemit për pagesat të shpejta, i cili parashikohet të krijojë kushte për integrimin e sistemit të pagesave në Shqipëri me sistemin evropian TIPS (TARGET Instant Payment Settlement). Ky projekt jo vetëm që synon të ofrojë një infrastrukturë të avancuar dhe të sigurt për pagesat në vend dhe në vendet e Bashkimit Evropian, por shërben gjithashtu edhe si një model i suksesshëm për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi Shqipëria është vendi i parë që angazhohet të adaptojë këtë sistem në rajon.
Minxhozi u shpjegoi studentëve se si ky projekt parashikon klonimin e sistemit TIPS të Eurosistemit për Shqipërinë, për të mundësuar pagesat e shpejta në ekonominë tonë. Kjo do të sigurojë që sistemi vendas të ketë të njëjtat funksionalitete dhe ndërfaqe me sistemin TIPS, duke e bërë të mundur që në të ardhmen, integrimi i sistemit shqiptar të pagesave me atë evropian të bëhet me lehtësi dhe efikasitet.
Në linjë me angazhimin e saj për inovacionin financiar dhe integrimin me sistemet evropiane të pagesave, Banka e Shqipërisë vë theks të veçantë edhe në rëndësinë e edukimit financiar. Krijimi i një infrastrukture të avancuar për pagesat e shpejta, shoqërohet me iniciativa si ky leksion për të rritur ndërgjegjësimin dhe njohuritë financiare të popullatës.
“Banka e Shqipërisë po zbaton një strategji institucionale të edukimit dhe përfshirjes financiare, e cila parashikon një sërë iniciativash edukative për të ndihmuar të rinjtë dhe të rriturit të kuptojnë më mirë se si teknologjia financiare mund të ndikojë pozitivisht në jetën e tyre të përditshme dhe të rrisë mirëqenien e tyre financiare”, tha ajo./ata