“Ndërkohë që na duhet dhe besoj se këtu jeni dakord që të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro”.
Njoftimi i kryeministrit Rama për një mundësi të rritjes së pensioneve që janë nën 150 euro pas rritjes së pagave, do të përfshinte rreth 140 mijë e 296 qytetarë në të gjithë vendin. Jo vetëm ata në zonat rurale, por bëhet fjalë edhe për një pjesë të atyre që jetojnë në qytet.
Një kategorizim i tillë i rritjes së pensioneve bazuar në vlerën më të ulët duhet të ishte aplikuar më parë sipas ekspertëve të këtij sektori.
“Kam rezervat e mia sepse kjo është pararojë e një propaganda në skemën e pensionve ndërkohë që ajo është në rrezik. Duhet të rriten më të shpejta pensionet më të ulëta për të bërë një politikë sociale të drejtë”, tha Kujtim Hoxha, ekspert pensionesh.
Në zonat rurale janë 96 mijë e 418 qytetarë me një pension në masë të ulët. Teksa rreth 86 mijë gëzojnë pension pleqërie, 5 mijë e 636 invaliditeti, 3880 pension familjar dhe më pak të aksidentuarit në punë.
Pensioni mesatar për këto kategori vijon nga 1 mijë e 884 lekë për familjarët e deri në 11 mijë e 51 lekë për pensionet e pleqërisë.(grafik) Por me masë më të ulët se 150 euro ka dhe në qytet, ku qytetarët që kategorizohen përfitues për pensionin familjar marrin një shumë deri në 8 mijë e 558 lekë. Por për ekspertët vetëm një indeksim në shifra dyshifrore do të sillte rezultate për qytetarët.
“Në lidhje me indeksimin historik që nga 93 deri më sot më rezultojnë e shifra dyshifrore rritjet deri në 2010 një rënie në 8 dhe 4%. Dhe në 2014 2%. Rritja pak më e madhe filloj në 2022 3.3% dhe 6% dhe 2023 ka qenë 8.6%”, u shpreh Hoxha.
Teksa indeksimi i radhës për 2024 pritet në tetor, për të ndihmuar skemën e pensioneve në vend, Banka Botërore bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtar janë në konsultime me Ministrinë e Financave. Rishikimi i moshës së përgjithshme dhe asaj të parakohshme të daljes në pension, indeksimi i diferencuar, rritja e fondit të kontributeve shoqërore dhe plotësim të pagesës së sigurimeve për të punësuarit me paga minimale e deri në mesatare janë disa nga sugjerimet e këtyre institucioneve./Tema