Trupat e dy prej gjashtë punëtorëve të zhdukur të ndërtimit nga ura e shembur në qytetin amerikan të Baltimores janë gjetur, thanë autoritetet.

Komisari i policisë së shtetit të Marylandit, Roland Butler Jr., tha se zhytësit i gjetën dy trupat të bllokuar në një kamionçinë të kuqe rreth 7,5 metra në ujë rreth hapësirës së mesme të urës.

Viktimat u identifikuan si Alejandro Hernandez Fuentes, 35-vjeç, nga Baltimore dhe Dorlian Ronial Castillo Cabrera, 26-vjeç, nga Dundalk, Maryland.

Autoritetet rifilluan të mërkurën një kërkim për gjashtë punëtorë të zhdukur të ndërtimit, të cilët supozohen të vdekur pasi një anije masive mallrash goditi urën Francis Scott Key të martën, duke shkaktuar shembjen e saj.

Punëtorët ishin në pauzë në kohën e shembjes dhe ishin ulur në kamionët e tyre për t'u ngrohur, tha Butler.

Videoja e incidentit që ka qarkulluar në mediat sociale duket se tregon se anija "Dali" humbet pjesërisht fuqinë të paktën dy herë teksa një shtëllungë tymi i dendur i zi del nga mjeti lundrues. Anija më pas përplaset në një nga shtyllat mbështetëse të urës duke shkaktuar shembjen e saj në mënyrë dramatike rreth një sekondë më vonë.

Autoritetet kanë thënë se anija ishte në gjendje të bënte një thirrje emergjente që u mundësoi ligjzbatuesve në urë të ndalonin rrjedhën e trafikut dhe me gjasë të shpëtonin jetën e atyre që përndryshe do të kishin kaluar tranzit nëpër të.

Ura Key ishte një nga tre arteriet kryesore të përdorura për të kaluar tranzit në Portin e Baltimores me afërsisht 35 mijë njerëz që e përdorin atë çdo ditë për udhëtimet e tyre. I gjithë trafiku i anijeve tregtare është ndalur për të lejuar vazhdimin e përpjekjeve të kërkim-shpëtimit./aa