Kompania prestigjioze spanjolle “Iberia” nisi sot fluturimet nga Madridi në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale shkruan se “nga Madridi në Tiranë i uruam mirëseardhjen 152 pasagjerëve të parë që zbritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës me linjën e re të fluturimeve “Iberia””.

“Çdo të martë, të enjte e të diel nga Madridi në Tiranë dhe anasjelltas, me një kapacitet rreth 30 mijë pasagjerë për sezonin veror, “Iberia” do të ofrojë më shumë mundësi për vizitorët spanjollë, që janë ndër grupet e turistëve me rritjen më të shpejtë dhe e vizitojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit”, tha Kumbaro.

Udhëtimi drejt kryeqyteteve të botës apo destinacioneve turistike nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” sa vjen e bëhet më i lehtë dhe me kosto më të ulët.

Në treg po futen gjithnjë e më tepër kompani, ndërsa ato ekzistueset po shtojnë jo vetëm destinacionet, por edhe numrin e fluturimeve./ata