Nën moton “Dhuro një libër, dhuro një copëz Shqipëri”, Biblioteka e qytetit të Shkodrës “Marin Barleti” ka ndërmarrë një nismë për fëmijët shqiptarë të lindur në Itali, të cilët po mësojnë gjuhën shqipe.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “këta fëmijë, kanë mundësi të jenë pjesë e shkollës shqipe “Migjeni” në Fano, Itali, e cila nuk ka një bibliotekë të librit në gjuhën shqipe”.

“Të gjithë mund të ndihmojmë fëmijët shqiptarë të kësaj shkolle, të cilët duan aq shumë të mësojnë gjuhën amtare, duke dhuruar libra të rinj ose të përdorur pranë bibliotekës “Marin Barleti””, theksoi Beci.

Kryebashkiaku Beci u shpreh se “të dhurosh një libër është si të dhurosh një botë të tërë”.

“Të ndihmojmë për të përçuar më tej gjuhën tonë të bukur shqipe”, tha Beci.

Koleksionet e çmuara që ka biblioteka “Marin Barleti” në Shkodër e kanë kthyer atë në një qendër të rëndësishme shkencore, sidomos sa i takon shkencave humane dhe filologjike.

Bazuar në fondin e librave në gjuhën shqipe, në fondin e periodikut, në bibliotekën e fëmijëve si dhe në mjetet e kërkimit, biblioteka është kthyer në një qendër promovimi dhe garantimi të edukimit të vazhdueshëm të qytetarëve./ata