Kuvendi do të rikthehet në punë të hënën e datës 2 shtator. Seanca e parë është parashikuar të mbahet në orën 17:00 ndërsa ajo do të çelet me fjalën e kryetares s Parlamentit Elisa Spiropali.
Veç Kryetares së kuvendit në foltore pritet të dalin edhe Niko Peleshi, Gazment Bardhi, Mesila Doda dhe Agron Duka në cilëninë e krerëve të Grupeve Parlamentare.
Seanca e parë pritet të jetë e shkurtër por do të reflektojë edhe qëndrimet e palëve për disa nga temat kryesore të politikës gjatë muajve të ardhshëm.
Përpara seancës plenare, Niko Peleshi ka thirrur mbledhjen e grupit socialist në orën 10 në kryesinë e kuvendit, ndërsa Gazment Bardhi do të mbledhë deputetët demokratë në orën 12:30 në selinë blu.
Seanca e radhës pas së hënës është ajo e 12 shtatorit, ku priten dy vendime të rëndësishme sa i përket mandatit të deputetëve socialist Olta Xhaçka dhe Vullnet Sinaj.
Me tërheqjen e befasishme të socialistëve javën e kaluar, mandati I Olta Xhaçkës pritet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese që 9 anëtarët e kësaj trupe të vendosin nëse ai është ose jo në pajtueshmëri me kushtetutën.
Të njëjtin fat pritet ta ketë edhe mandate i Vullnet Sinajt, i cili sipas procedurës së vendosur tanimë nga GJK duhet të shkojë në institucionin më të lartë kushtetues në vend
Kërkesa e deputetëve të PD-së për mandatin e Vullnet Sinajt përpara se t’i dërgohet seancës plenare pritet të diskutohet në Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin me 4 shtator.
Për javën e parë të shtatorit nga ana e komisioneve është caktuar vetëm një mbledhje deri më tani, Ina Zhupa do të mbledhë për herë të parë në cilësinë e kryetares komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të martën e 3 shtatorit.
Ndërkohë, mbetet i paqartë fati i një kërkesë urgjente për interpelancë e Gazment Bardhit me kryeministrin Edi Rama.
Bardhi e ka dorëzuar kërkesën ku në objekt të saj ka pyetjen e kryeministrit në lidhje me sasinë e mbetjeve të rrezikshme që janë kthyer nga Tajlanda dhe Kina.
Do të jetë në dorën e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, nëse këtë kërkesë do ta fusë në seancën e së hënës apo atë të datës 12 shtator./OraNews