Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës ka protestuar para objektit të Postës dhe Telekomit në Prishtinë pasi punëtorët e kësaj ndërmarrje shtetërore kanë mbetur pa paga që nga 29 shkurti 2024.

Në protestën ku morën pjesë dhjetëra punëtorë u kritikua vendimi gjyqësor që shkaktoi bllokimin e llogarive bankare në këtë ndërmarrje.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj tha se nuk përjashtohet edhe organizimi i një greve nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

"Kërkesat tona janë të ditura dhe po i bëj publike edhe njëherë sot, janë: debllokimi i llogarive të Telekomit të Kosovës sa më parë, sepse nga data 29 shkurt 2024 neve na janë bllokuar llogaritë e Telekomit nga një përmbarues me një vendim të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, edhe pse kolegji i shkallës së dytë e ka marrë një vendim në favor të Telekomit ku ka kërkuar që të merret një ekspertizë financiare për dëmet që i janë shkaktuar Telekomit të Kosovës", theksoi Balaj.

Ai tha se pagat janë obligim ligjor me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se punëtorët mbajnë familje me këto paga. Balaj i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetime, duke thënë se Telekomi është shkatërruar nga krimi i organizuar dhe kontratat e dëmshme të lidhura nga kompania.

"Përgjegjësia për nënshkrimin e këtyre kontratave kanë pasur në vazhdimësi Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, sepse Qeveritë janë ato që kanë menaxhuar Telekomin e Kosovës, menaxhmentet dhe bordet kanë qenë të emëruar nga Qeveria e Kosovës. Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës ka një përgjegjësi të veçantë për shkak se të gjitha asetet publike janë pronë e Kuvendit të Kosovës ndërsa Qeveria është ajo që vetëm menaxhon", theksoi Balaj.

Siç thanë nga Sindikata, më shumë se 1.700 punëtorë të Telekomit të Kosovës dhe mbi 1.000 punëtorë të Postës së Kosovës janë të kërcënuar nga bllokimi i llogarive të tyre, të cilëve u është hequr paga mujore për të cilën punojnë dhe mbajnë familjet e tyre./aa