Në drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Në rendin e ditës ishin shqyrtimi i projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 8 prill-18 maj 2024, shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 8 prill-26 prill 2024, si dhe shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë.

Pas diskutimeve për projektprogramin e punës dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.

Ndërkohë, Konferenca e Kryetarëve miratoi me shumice votash kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit parlamentar kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.

Komisioni i posaçëm parlamentar do të ketë në fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri./ata