Pastruan para nëpërmjet tregtisë së floririt, Prokuroria Tiranë kërkon ‘Arrest në burg’ për dy shtetas shqiptarë dhe dy shtetas italianë.

 

 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkoi vendosjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetasit shqiptarë K.K., dhe K.K. si dhe dy shtetas italianë P.C. dhe N.T. të akuzuar për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i K.Penal.

 

Prokuroria Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 840, të vitit 2020, në lidhje me Subjektin TIRANA-BULLION Sh.p.k me administratore shtetasen K. K.

 

Gjatë hetimeve, nga ana e Prokurorisë u arrit të evidentohej një skemë e mirëfilltë e transferimit të shumave monetare me prejardhje të dyshuar kriminale nëpërmjet sistemit bankar nga Italia me destinacion Shqipërinë.

 

 

Nëpërmjet shoqërisë fiktive TIRANA-BULLION Sh.p.k me objekt tregtimin dhe eksportimin e floririt, bëheshin blerje fiktive të floririt dhe më pas shitje fiktive me fatura tatimore ku qëllimi i vetëm ishte që nëpërmjet këtyre faturave të justifikoheshin transfertat e vlerave të larta monetare me origjinë të dyshuar kriminale dhe që kapin shifrën e miliona eurove nga Bankat Italiane në ato Shqiptare.

 

Këto transferta në dukje të justifikuara me anë të një faturimi të rregullt, pra duke i paraqitur si pagesa të blerjeve të floririt të përdorur, arrinin t’i shpëtonin kontrollit të agjencive mbikëqyrëse në fushën e pastrimit të parave dhe sapo këto shuma mbërrinin në Shqipëri tërhiqeshin kesh dhe zhdukeshin.

 

Për sa më sipër, nga tërësia e veprimeve hetimore, duke pasur parasysh vlerën e detyrimit tatimor të shmangur, vijimësinë e veprimtarisë së kundërligjshme, krijohet bindja e bazuar që personat e mësipërm kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga nenet 180/3 dhe 287/2 të K.Penal.

 

Për këto arsye, bazuar dhe në nenet 287/1 e 315 të Kodit të Procedurës Penale si dhe në Ligjin nr.9754 date 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” ndaj tyre u kërkua caktimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” sipas nenit 238 te K.pr.penale, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata e Shkallës së Parë.