Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”.
Balluku u shpreh se, ky pr/ligj vjen në kuadër të punës për rritjen e e eficiencës së energjisë.
“Ky pr/ligj synon të përmirësojë dhe mbrojë qytetarët e Shqipërisë në blerjen e produkteve me ndikim në energji dhe përafrimin e legjislacionit në çështjet e etiketimit të performancës së konsumit të energjisë”, tha Balluku.
“Qëllimi i këtij ligji është të vendosë në dispozicioni të konsumatorëve fundor, pra të familjarëve, informacionin e nevojshëm mbi konsumin e energjisë për produktet e përdorimit të përditshëm nga konsumatorët familjarë, por sigurisht kjo nuk përjashton as bizneset”, theksoi Balluku.
Zv/kryeministrja u shpreh se, “nisma synon t’iu vijë në ndihmë qytetarëve, por edhe bizneseve për të kuptuar dhe për të përzgjedhur ato produkte që janë më eficiente sa i përket konsumit energjetik, duke reduktuar kështu faturën e energjisë elektrike për përdoruesit familjarë, por gjithashtu me elementë të tjerë indirekt, që lidhen me mbrojtjen e mjedisit përmes rritjes së sigurisë energjetike, reduktimit të humbjeve të energjisë si rezultat i uljes së kërkesës për energji”.
Ky pr/ligj, shtoi Balluku, “vjen dhe si një ndër detyrimet e vendit tonë në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës”./ata