Pas dëmtimeve të shumta në spitalin Al-Shifa të Gazës pas dy javës të bastisjes së ushtrisë izraelite, mjekët palestinezë thanë se të gjithë ambientet e spitalit janë shkatërruar nga zjarri dhe bombardimet, duke e bërë atë të papërdorshëm.

Kreu i Departamentit të Kirurgjisë në Al-Shifa, Marwan Abu Sada, duke folur për Anadolu tha se ushtria izraelite u tërhoq nga spitali Al-Shifa, duke lënë pas shkatërrime të shtrira në të gjithë ndërtesat dhe objektet e spitalit.

Abu Sada theksoi se shkatërrimi i shkaktuar nga ushtria izraelite e ka bërë të pamundur rifillimin e operacioneve mjekësore për të ndihmuar të plagosurit dhe pacientët.

"Ushtria izraelite hodhi në erë ndërtesat e spitalit duke ngritur kurthe me mjete shpërthyese, dogji stacionet e oksigjenit dhe gjeneratorët elektrik dhe i vuri flakën të gjitha pjesëve të spitalit", tha Abu Sada.

Duke theksuar nevojën urgjente për rindërtimin e plotë të spitalit, Abu Sada kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të hetojë mizoritë dhe të gjejë zgjidhje alternative mjekësore për palestinezët në enklavën e rrethuar.

- Spitali u kthye në gërmadha

Fares Afanah, drejtor i Shërbimeve të Ambulancës dhe Emergjencave në spitalin Al-Shifa, tregoi mbërritjen në vendngjarje pas tërheqjes së ushtrisë izraelite dhe dëshmoi një skenë shaktërrimi, duke përfshirë "trupa të dekompozuar".

"Spitali Al-Shifa është shkatërruar plotësisht, me të gjitha objektet spitalore të djegura. Është si një rrënojë masive e lënë pas nga një tërmet shkatërrues. Për shkak të shkatërrimit të madh të shkaktuar nga Izraeli, spitali nuk është i përshtatshëm për operim përsëri", tha Afanah.

Duke e përshkruar situatën në territorin palestinez si një fatkeqësi humanitare, Afanah dënoi "gjenocidin e vazhdueshëm" në territoret palestineze, me forcat izraelite që synojnë çdo gjë në lëvizje.

Të hënën, Izraeli njoftoi se është tërhequr nga kompleksi më i madh shëndetësor i Rripit të Gazës, spitali Al-Shifa, pas bastisjeve 2-javore që filluan më 18 mars.

Sipas dëshmitarëve okularë që folën për Anadolu, ushtria izraelite u tërhoq nga brenda spitalit Al-Shifa dhe zonat përreth në perëndim të qytetit Gaza, duke lënë shumë viktima dhe shkatërrime të mëdha në spital dhe në afërsi të tij.

Sipas dëshmitarëve, forcat izraelite gjithashtu dogjën ndërtesat e reparteve të veshkave dhe maternitetit, frigoriferë mortor, objektet e kancerit dhe djegieve, si dhe shkatërruan ndërtesën e klinikës ambulatore.

Burimet mjekësore palestineze thanë se spitali tani është plotësisht jashtë shërbimit dhe ushtria shkatërroi të gjitha pajisjet mjekësore në kompleks, duke përfshirë dhomat e operacionit dhe njësitë e kujdesit intensiv.

Spitali është bastisur edhe më parë më 16 nëntor pasi ishte rrethuar për një javë, kur u shkatërruan oborret e tij, pjesë të ndërtesave, pajisjet mjekësore dhe gjeneratori i energjisë./aa