Polonia njoftoi se ka nisur një hetim për vdekjen e shtetasit të saj, Damian Sobol, një nga punonjësit e World Central Kitchen (WCK), në sulmin izraelit në Gaza.

Duke folur për agjencinë polake të lajmeve PAP, Beata Starzecka nga Prokuroria e Qarkut Przemysl në deklaratën e saj për këtë çështje tha se ata kanë nisur një hetim për vrasjen e Sobol-it si rezultat i sulmit të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

Starzecka shtoi se nuk mund të ndajë më shumë informacione mbi këtë çështje.

- Vrasja e punonjësve të WCK-së

Në sulmin e Izraelit në rajonin Deyr al-Belah në Gaza më 1 prill humbën jetën punonjës të organizatës ndërkombëtare humanitare WCK.

Në deklaratën e bërë nga WCK, me seli në Washington, raportohet se 7 punonjës të saj kanë vdekur në sulmin izraelit në Gaza.

Në deklaratë thuhet se punonjësit që humbën jetën ishin shtetas australianë, polakë, britanikë, amerikanë-kanadezë dhe palestinezë, ndërsa gjatë sulmit ekipi ndodhej në zonën e de-përshkallëzimit në 2 automjete të blinduara që mbanin logon e organizatës.

"Kjo është një tragjedi. Punonjësit e ndihmës humanitare dhe civilët nuk duhet të jenë kurrë, kurrë objektiva," thuhet në deklaratë.

Ushtria izraelite gjithashtu tha: "Ushtria po kryen një hetim gjithëpërfshirës në nivelin më të lartë për të kuptuar rrethanat e këtij incidenti tragjik"./aa