Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e së mërkurës rregulloren “Për përcaktimin e kërkesave për transfertat e kreditit dhe të debitimit direkt në euro”

Në njoftimin për shtyp, BSH-ja bën të ditur se, kjo rregullore është hartuar në kuadër të procesit të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në zonën SEPA, të njohur si “Tregu Unik i Pagesave në Euro”.

Anëtarësimi në SEPA është një objektiv i Bankës së Shqipërisë për të nxitur modernizimin e tregut të sistemeve të pagesave dhe integrimin e tyre me tregjet evropiane, si dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është pjesë e projektit “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në Ballkanin Perëndimor” si dhe objektiv i qeverisë shqiptare për të përmbushur një nga kriteret e planit të BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit.

Rregullorja e miratuar këtë javë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë transpozon plotësisht dispozitat e rregullores së BE-së për kërkesat teknike dhe të biznesit për transfertat e kreditit dhe debitë e drejtpërdrejta në euro.

Ajo ka si objekt kryesor përcaktimin e kërkesave teknike për transaksionet e transfertave të kreditit dhe të debitimit direkt të kryera në monedhën Euro brenda Shqipërisë dhe ndërmjet Shqipërisë dhe zonës SEPA.

Disa prej kërkesave kryesore teknike janë: Identifikuesi i llogarisë së pagesave duhet të jetë IBAN, standardi për formatin e mesazhit të pagesës duhet të jetë standardi ISO 20022 XML; fusha e të dhënave të dërgesave duhet të lejojë 140 karaktere.

Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) pritet të vendoset brenda mesit të këtij viti.

Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë./ata